Trajnim dhe Punëtori mbi Ekonominë Qarkore në Industrinë e Tekstilit (11–13 Dhjetor)
Gjatë javës së kaluar, nga 11 deri më 13 dhjetor, u mbajt trajnimi dhe punëtoria mbi Ekonominë Qarkore në Industrinë e Tekstilit, një aktivitet që synoi të rrisë njohuritë dhe kapacitetet e akterëve të industrisë së tekstilit drejt praktikave më të qëndrueshme, inovative dhe miqësore me mjedisin.
Ky aktivitet mblodhi 20 pjesëmarrës nga sektorë të ndryshëm të industrisë së tekstilit, duke përfshirë dizajnerë mode, prodhues uniformash, biznese të dekorimeve tekstile, prodhues aksesorësh, si dhe përfaqësues të tjerë të zinxhirit të vlerës së tekstilit. Përveç bizneseve, pjesë e rëndësishme e punëtorisë ishin edhe përfaqësuese të shkollave të mesme teknike, profesoresha dhe asistente të fushës së rrobaqepësisë, duke krijuar një urë bashkëpunimi ndërmjet arsimit profesional dhe sektorit privat.
Bizneset dhe institucionet pjesëmarrëse
Në këtë trajnim dhe punëtori morën pjesë përfaqësues nga bizneset: Arta Tex, Dimali Tex, Im LU Bags, “Dita” Rrobaqepëse, Sadete Ademi BI, Elda Ahmeti Fashion Designer, Diba Celina, Pezull, Zanart, Ammar Mujka Stitching, Alban Mitati BI dhe Jonda Corset. Aktiviteti u pasurua gjithashtu me pjesëmarrjen e përfaqësueses nga Ministria e Mjedisit, si dhe përfaqësueseve nga shkollat teknike, duke sjellë perspektiva institucionale dhe edukative mbi zhvillimet e ardhshme në këtë sektor.
Trajnimi u udhëhoq nga Prof. Leonora Haliti Rrudhani, e cila përmes një qasjeje të strukturuar teorike dhe praktike prezantoi konceptet kryesore të ekonomisë qarkore dhe aplikimin e tyre konkret në industrinë e tekstilit. Ekspertiza e saj kontribuoi në nxitjen e diskutimeve konstruktive dhe në orientimin e pjesëmarrësve drejt zgjidhjeve të zbatueshme në praktikë.
Temat kryesore të trajtimit
Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit u njohën në mënyrë të detajuar me parimet themelore të ekonomisë qarkore, dallimet mes modelit linear dhe atij qarkor, si dhe përfitimet e zbatimit të ekonomisë qarkore në industrinë e tekstilit. Diskutimet u fokusuan në përfitimet financiare (ulja e kostove, rritja e efikasitetit dhe krijimi i modeleve të reja të biznesit), shoqërore (krijimi i vendeve të punës dhe përfshirja e komunitetit) dhe mjedisore (reduktimi i mbetjeve, ripërdorimi dhe riciklimi i materialeve).
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte edhe sesioni praktik, gjatë të cilit pjesëmarrësit punuan në grupe dhe bashkëpunuan për krijimin e ideve konkrete të biznesit në kuadër të ekonomisë qarkore. Këto ide synonin të adresojnë sfidat aktuale të industrisë së tekstilit, duke shfrytëzuar mbetjet tekstile si burim, duke promovuar dizajnin e qëndrueshëm dhe duke integruar inovacionin në proceset prodhuese.



Një hap drejt një industrie tekstili më të qëndrueshme
Trajnimi dhe punëtoria shërbyen si një platformë e rëndësishme për shkëmbim njohurish, përvojash dhe bashkëpunimi ndërmjet bizneseve, institucioneve dhe arsimit profesional. Ky aktivitet përfaqëson një hap konkret drejt tranzicionit të gjelbër të industrisë së tekstilit dhe krijimit të një sektori më të përgjegjshëm ndaj mjedisit dhe shoqërisë.
Përmes iniciativave të tilla, industria e tekstilit në Kosovë po hedh themelet për modele të reja zhvillimi të qëndrueshëm, duke u përgatitur për kërkesat e tregut dhe zhvillimet legjislative të së ardhmes në fushën e ekonomisë qarkore.
Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit #EECSOK (Empowering Environmental Civil Society Organizations in Kosovo), zbatuar nga Rilindja Gjelbër në partneritet me Balkan Green Foundation, EC Ma Ndryshe dhe 7 Arte, menaxhuar nga Community Development Fund – CDF dhe financuar nga Embassy of Sweden in Pristina.