Rilindja Gjelbër prezanton modën e qëndrueshme në Prishtina Fashion Night

Më 18 prill 2026, në ambientet e Prishtina Mall, në kuadër të Prishtina Fashion Night, organizata Rilindja Gjelbër prezantoi dy koleksione unike mode të krijuara nga tekstili i ripërdorur.

Koleksionet “Waste to Worth” dhe “Reborn” u realizuan nga studentët e Akademia Evolucion dhe nxënësit e Shkolla e Mesme e Artit Odhise Paskali, në bashkëpunim me dizajnerët Vesa Rrukiqi dhe Etnik Shala.

Këto koleksione sollën në skenë një qasje inovative ndaj modës, duke transformuar materiale të përdorura në veshje kreative dhe funksionale. Përmes këtij prezantimi, u theksua potenciali i madh që ka ripërdorimi i tekstilit në reduktimin e mbeturinave dhe promovimin e ekonomisë qarkore në Kosovë.

Përveç aspektit estetik, koleksionet përçuan një mesazh të qartë mbi rëndësinë e qëndrueshmërisë dhe përgjegjësisë ndaj mjedisit. Ato dëshmuan se të rinjtë në Kosovë kanë kapacitetin dhe kreativitetin për të sjellë ndryshim përmes inovacionit dhe angazhimit të tyre në çështje mjedisore.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit EECSOK, i zbatuar nga Rilindja Gjelbër, i menaxhuar nga Community Development Fund dhe i financuar nga Embassy of Sweden in Kosovo.

Aktiviteti kontribuon në misionin e platformës REKO Platforma për të promovuar modele të qëndrueshme të prodhimit dhe konsumit, si dhe për të fuqizuar aktorët lokalë në fushën e ekonomisë qarkore.