Raporti Hulumtues: “Ekonomia Qarkore dhe Tranzicioni i Gjelbër në Industrinë e Tekstilit”
Prishtinë, 24 Qershor 2025 – Organizata Rilindja Gjelbër ka prezantuar për publikun raportin e parë në Kosovë që analizon industrinë e tekstilit përmes lenteve të ekonomisë qarkore dhe tranzicionit të gjelbër. Ky raport u prezantua në një tryezë diskutimi, në prani të përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, sektorit privat, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës.
Qëllimi i hulumtimit
Qëllimi kryesor i këtij raporti ishte të nxjerrë në pah ndikimin e mbeturinave të tekstilit në mjedis dhe të ofrojë një pasqyrë të qartë mbi gjendjen aktuale të industrisë së tekstilit në Kosovë, duke shqyrtuar mundësitë për një kalim drejt praktikave më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Raporti, përmes numrave, sjell në pah sfidat me të cilat përballet kjo industri, por edhe potencialet e mëdha për transformim përmes qasjes së ekonomisë qarkore.
Gjetjet dhe diskutimet
Gjatë tryezës, u theksua më së pari mungesa e informacionit mbi ekonominë qarkore dhe praktikat e qëndrueshme potenciale në këtë industri, pastaj mungesa e mekanizmave për riciklimin e mbeturinave, mungesa e legjislacionit të qartë, mungesa e incentivave shtetërore si dhe mospërfshirja e bizneseve në zinxhirë qarkor të prodhimit, të cilat jaë ndër sfidat kryesore për këtë sektor. Megjithatë, raporti tregon edhe për iniciativat premtuese që tashmë kanë nisur të zbatohen në vend, si dhe për rritjen e vetëdijes publike për çështjet mjedisore dhe ndikimin e industrisë së tekstilit.
Diskutimet u fokusuan edhe në rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike, bizneseve dhe sektorit të shoqërisë civile për të ndërtuar një model të ri zhvillimi të bazuar në qarkullim të materialeve, reduktim të ndotjes, dhe efikasitet energjetik.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Kthimi i Vlerave në Ekonomi Qarkore”, i cili është pjesë e programit #EECSOK – Fuqizimi i Organizatave të Shoqërisë Civile Mjedisore në Kosovë, i menaxhuar nga Community Development Fund (CDF) dhe i financuar nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë.
Raporti i publikuar shërben si një pikënisje për ndërtimin e politikave dhe iniciativave konkrete që mund ta orientojnë industrinë e tekstilit drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe më pak ndotëse.
Gjeni raportet më poshtë:
Raporti i plotë:
Raporti – Ekonomia Qarkore dhe Tranzicioni i Gjelbër në Industrinë e Tekstilit
Zavrsni izvestaj – Tekstilna Industrija – Cirkularna ekonomija
Final Report, Annual Assessment Survey of the Textile Industry in Kosovo
Raporti i përmbledhur:
Përmbledhja e raportit – Ekonomia Qarkore dhe Tranzicioni i Gjelbër në Industrinë e Tekstilit
Raporti i përmbledhur në gjuhën angleze:
REPORT SUMMARY – Rilindja Gjelbër
Raporti i përmbledhur në gjuhën serbe:
REZIME IZVEŠTAJA – Rilindja Gjelbër