Drejt një të ardhmeje më të gjelbër: Themelimi i Fondit të Gjelbër për Kosovën

Maj 2025
Autorët:
Prof. Dr. Besnik A. Krasniqi, Ekspert i Ekonomisë Qarkore
Dr. Albana Rexha, Eksperte për Integrimin e Perspektivës Gjinore
Urim Xharavina, Rilindja Gjelbër
Lendita Kastrati, People in Need Kosovo


Për të adresuar sfidat gjithnjë në rritje të ndotjes dhe ndryshimeve klimatike, një propozim i ri politikash synon krijimin e Fondit të Gjelbër për Kosovën – një mekanizëm financiar që do të mbështesë projektet mjedisore dhe tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër.

Përcaktimi i taksave mjedisore është një instrument i rëndësishëm fiskal për të gjeneruar të ardhura dhe për të nxitur qëndrueshmërinë mjedisore. Në Kosovë, këto taksa përfaqësojnë rreth 2.3% të BPV-së, një përqindje e konsiderueshme krahasuar me rajonin. Megjithatë, më pak se 2% e këtyre të hyrave dedikohen realisht për mbrojtjen e mjedisit. Kjo mospërputhje cenon efektivitetin e politikave të gjelbra dhe pengon financimin e sfidave mjedisore urgjente si ndotja e ajrit, menaxhimi i mbeturinave dhe reagimi ndaj ndryshimeve klimatike.

Kjo përmbledhje propozon themëlimin e Fondit të Gjelbër për Kosovën, një mekanizëm i pavarur, i ligjshëm dhe transparent për financimin e iniciativave të gjelbra. I modeluar sipas praktikave më të mira evropiane si Eko Sklad në Slloveni, Fondi do të financojë investime në energji të ripërtëritshme, efiçiencë të energjisë, mbrojtje të biodiversitetit dhe zhvillimin e ekonomisë qarkore.

Fondi duhet:

  • Të ketë një strukturë të pavarur qeverisëse me mbikëqyrje transparente.

  • Të sigurojë përfaqësim të balancuar gjinor në organet vendimmarrëse.

  • Të ndajë të paktën 30% të të hyrave nga taksat mjedisore për projekte të gjelbra.

Përfitimet përfshijnë rritje të ndërgjegjësimit, përmirësim të qeverisjes fiskale, përfshirje të grave dhe grupeve të margjinalizuara në ekonomi të gjelbër dhe përshpejtim të përafrimit me Agjendën e Gjelbër të BE-së.

Për më shumë, shkarko raportin e plotë: Raporti i plotë