Ekonomia Qarkore – modeli i ri global i të bërit biznes!
Nga ekonomia lineare drejt një modeli të ri zhvillimi
Bota po përballet me një krizë të trefishtë: mjedisore, ekonomike dhe sociale. Modeli tradicional i ekonomisë lineare: merr, prodho, përdor, hidhe, ka rezultu jo vetëm joefikas, por edhe i dëmshëm për planetin dhe shoqëritë tona. Në këtë kontekst, Ekonomia Qarkore po shihet si një alternativë e domosdoshme dhe një mundësi reale për të transformuar mënyrën se si prodhojmë, konsumojmë dhe riciklojmë.
Në thelb të saj, Ekonomia Qarkore synon të minimizojë mbeturinat dhe të maksimizojë përdorimin e burimeve ekzistuese në mënyrë inteligjente dhe të qëndrueshme. Një ekonomi që nuk përfundon në plehra, por qarkullon, ripërdoret, riparohet, dhe rigjeneron pasurinë nga ajo që konsiderohet mbeturina.
Çfarë janë 3R-të: Redukto, Ripërdor, Riciklo
Një nga parimet themelore të ekonomisë qarkore është filozofia 3R: Redukto, Ripërdor, Riciklo. Kjo qasje përfaqëson një mënyrë të re të të menduarit – jo vetëm për konsumatorët, por edhe për bizneset dhe institucionet.
- Reduktimi i konsumit të panevojshëm dhe prodhimit të tepërt është hapi i parë drejt një ekonomie më efikase dhe më pak ndotëse.
- Ripërdorimi i materialeve dhe produkteve zgjat ciklin jetësor të tyre.
- Riciklimi mundëson kthimin e mbeturinave në lëndë të para për produkte të reja, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e ndotjes dhe përdorimin e burimeve natyrore.
-
Sektorët kryesorë të mbeturinave dhe potenciali i tyre në Kosovë
-
Letra dhe kartoni
- Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës (pas 2020), Kosova ka eksportuar mbi 10 milion kg mbeturina letre dhe kartoni, me një vlerë mbi 1.3 milion euro.
- Kjo tregon se ekziston potencial ekonomik nëse kjo lëndë shfrytëzohet në vend.
-
Plastika
- Një raport i vitit 2022 nga GIZ tregon se mbi 90% e mbeturinave plastike në Kosovë përfundojnë në deponi ose digjen.
- Vetëm një pjesë e vogël riciklohet, kryesisht nga biznese private në sektorin joformal.
-
Alumini dhe metalet
- Nga 2021 deri në 2023, eksportet e aluminit të ricikluar kapin mbi 7.8 milion kg, me vlerë mbi 12 milion euro, sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë dhe Doganës.
- Kosova ka kompani aktive në fushën e grumbullimit të skrapit, por mungon zinxhiri i plotë i përpunimit në vend.
-
Xhami
- Raporti i PIN (People in Need) më 2022 tregon se vetëm 2% e mbeturinave të xhamit riciklohen.
-
Mbeturinat ushqimore
- Sipas UNDP Kosovë (2021), një familje mesatare kosovare hedh mesatarisht 30-35% të ushqimit të blerë.
- Kjo paraqet mundësi për kompostim dhe prodhim të plehrave organike.
-
Rekomandimet nga UNDP & Ministria e Mjedisit (nga Circular Economy Roadmap, 2023)
- Zhvillimi i sistemit të prodhimit të dhënave kombëtare për monitorimin e flukseve të burimeve.
- Krijimi i sistemit të grumbullimit të mbeturinave të organizuar dhe funksional në nivel komunal.
- Zbatimi i skemës së përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit (EPR) dhe sistemit të rimbursimit të depozitave (DRS).
- Harmonizimi i legjislacionit me politikën e BE-së, përfshirë përkufizimet për mbeturinat, nënproduktet dhe standardet e fund-mbeturinave (end-of-waste).
- Përdorimi i Prokurimit të Gjelbër Publik (GPP) për të stimulu ofertën për produkte dhe shërbime qarkore.
- Fuqizimi i sektorit arsimor dhe integrimi i ekonomisë qarkore në kurrikula dhe programe arsimore.
- Përdorimi i teknologjisë dhe digjitalizimit për të mbështetur trasparencën, gjurmueshmërinë dhe të dhënat mbi qarkullimin e burimeve.
- Zhvillimi i strategjisë industriale të Kosovës me fokus në industri të gjelbra dhe të qarkullueshme.
- Promovimi i ndërlidhjes ndër-institucionale dhe partneriteteve publiko-private për të mundësuar zbatimin konkret të ekonomisë qarkore.
Sektorët me prioritet dhe strategjitë shtesë për Ekonominë Qarkore në Kosovë
-
Shtatë sektorët prioritarë për tranzicionin qarkor në Kosovë
Sipas analizës së zhvilluar nga UNDP dhe Ministrisë së Mjedisit, Kosova ka identifikuar këto sektorë si më me potencial për ekonomi qarkore:
- Sistemi ushqimor;
- Sistemi pyjor;
- Sektori i prodhimit;
- Mjedisi i ndërtuar;
- Sektori i shitjes me pakicë;
- Sektori kreativ;
- Sektori i teknologjisë dhe digjitalizimit.
Këta sektorë janë përzgjedhur për shkak të ndikimit të tyre ekonomik, konsumit të resurseve dhe kapaciteteve për inovacion dhe transformim të qëndrueshëm.
-
Mungesa e të dhënave – një pengesë strukturore
Kosova përballet me mungesë serioze të të dhënave për vlerësimin e potencialit qarkor, si për konsumin e energjisë, përdorimin e burimeve të ripërtëritshme dhe rrjedhën e materialeve sipas sektorëve. Kjo mungesë kufizon aftësinë për të hartuar dhe zbatuar politika të informuara dhe efikase.
-
Nevoja për një Sistem Kombëtar të Monitorimit të Burimeve
Për të përmbushur objektivat e tranzicionit qarkor, dokumenti strategjik rekomandon zhvillimin e një sistemi kombëtar të monitorimit të flukseve të burimeve, të harmonizuar me standardet ndërkombëtare. Ky sistem do të ndihmonte në marrjen e vendimeve të bazuara në të dhëna dhe në përcaktimin e sektorëve më prioritarë për ndërhyrje.
-
Edukimi si shtyllë themelore
Tranzicioni drejt ekonomisë qarkore nuk mund të ndodhë pa transformim arsimor. Kjo përfshin integrimin horizontal të qëndrueshmërisë në të gjitha nivelet arsimore dhe vertikalisht në të gjitha disiplina. Edukimi duhet të fillojë nga shkollat fillore, të përfshijë edukimin teknik dhe profesional dhe të shtrihet edhe në trajnimin e bizneseve dhe institucioneve publike.
-
Roli i teknologjisë dhe pasaportës digjitale të produkteve
Digjitalizimi është thelbësor për ekonominë qarkore. Dokumenti përmend futjen e konceptit të “Pasaportës Digjitale të Produkteve”, që do të mundësonte gjurmimin e përbërësve dhe qarkullimit të produkteve, veçanërisht në sektorin e ndërtimit dhe atë prodhues, në përputhje me Planin e BE-së për Produkte të Qëndrueshme.
-
Zinxhiri i vlerës në ndërtim si motor transformimi
Sektori i ndërtimit përbën mbi 10% të PBB-së së Kosovës dhe punëson mbi 50,000 persona. Me zbatimin e standardeve për beton me emetime të ulëta, përdorim të materialeve të ricikluara dhe prokurim të gjelbër, ky sektor mund të bëhet një shembull transformues i ekonomisë qarkore në praktikë.
-
Mundësi të financimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NMVM)
Dokumenti përmend mundësi financimi me mbi 50 milionë euro përmes:
- GEFF (Green Economy Financing Facility);
- EBRD (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim);
- Green for Growth Fund;
- SME Competitiveness Support Program;
- Women in Business Program;
- TEB Young Entrepreneurs Grant.
Këto fonde janë të dizajnuara për të mbështetur investimet në pajisje, teknologji të qëndrueshme dhe riorganizim të proceseve prodhuese në përputhje me parimet e ekonomisë qarkore.
Përfitimet nga Ekonomia Qarkore në Kosovë
- Reduktim i ndotjes: Mbeturinat e ricikluara nuk përfundojnë në deponi apo nuk digjen.
- Zhvillim ekonomik: Eksportet e mbeturinave të përpunuara kanë gjeneruar miliona euro.
- Krijim i vendeve të reja të punës: Në BE, ekonomia qarkore ka krijuar mbi 700,000 vende pune, një model që Kosova mund ta ndjekë.
- Përshtatje me objektivat e BE-së: Në kuadër të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, Kosova duhet të harmonizohet me objektivat e Tranzicionit të Gjelbër dhe Ekonomisë Qarkore.
Thirrje për qytetarët dhe bizneset
Ekonomia qarkore nuk është vetëm një concept mjedisor, por një strategji për mirëqenie ekonomike dhe sociale, gjithmonë duke e pas planetin në mendje.
Çdo qytetar mund të bëhet pjesë e këtij ndryshimi, dhe mund t’ia nisim nga shtëpia, duke nda mbeturinat, konsumu me vetëdije dhe duke mbështet produkte të ricikluara.
Bizneset kanë mundësinë të transformojnë modelin e tyre ekonomik dhe të ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme, inovative dhe konkurruese në tregun lokal dhe ndërkombëtar.
Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e ekonomisë qarkore. Mjafton një qasje serioze institucionale, bashkëpunim me sektorët privat dhe qytetar dhe një frymë entuziaste e sfiduese drejt ndryshimit.